Protesta, bizneset ulin qepenët – Pezullim masiv i aktivitetit për 1 orë
Qindra biznese në Tiranë dhe në qytete të tjera i janë bashkuar thirrjes së Shoqatës së Biznesit të vogël për të pezulluar aktivitetin në shenjë proteste për përfshirjen e tyre në skemën e TVSH-së.
Bizneset te Tregu i Medresesë, Tregu Çam, Tregu elektrik apo ushqimor kanë ulur masivisht qepenat nga ora 11 deri në 12 të së martës, duke akuzuar se përfshirja e tyre në skemën e TVSH do t’i çojë drejt falimentit të sigurt.
Protestës nëpër tregjet e kryeqytetit i janë bashkuar deputetët e opozitës, të cilët i ftuan bizneset të përshkallëzojnë aksionin e tyre për të detyruar qeverinë të heqë dorë nga rritja arbitrare e taksave në dëm të biznesit, qytetarëve dhe ekonomisë në tërësi. Nga 1 prilli Qeveria vendosi të ulë në 2 milionë lekë pragun e bizneseve që përfshihen në skemën e TVSH-së, duke futur në sistem 11 mijë biznese të vogla.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.