Protesta përpara Bashkisë – Banorët e “Unazës së Re” kërkojnë dëmshpërblim të plotë për banesat
Banorët e Unazës së Re shfrytëzuan mbledhjen e Këshillit Bashkiak për të protestuar përpara Bashkisë së Tiranës.
Ata i kanë bërë thirrje kryebashkiakut Erion Veliaj, të tërheqë vendimin për prishjen e banesave të tyre, ndërsa kanë zhvilluar një protestë të dhunshme, me tymuese, kapsolla dhe vezë, të hedhura në drejtim të godinës së Bashkisë dhe të policëve bashkiakë.
Si pasojë, tre policë kanë përfunduar në spital. Rreth 200 banorë me thirrje dhe me një banderolë të madhe ku shkruhet “MASHTRIM” e quajnë korruptiv projektin që do u prishë shtëpiat e bizneset tek zona e Astirit.
Në rast se Veliaj nuk tërhiqet nga vendimi, ata kërkojnë dëmshpërblim të plotë për shtëpitë që do prishen, të legalizuara apo jo.
Pas rreth 1 ore proteste, ajo që mbeti pas, ishin lëvozhgat e vezëve, copëza shashkash dhe tymuese. Banorët kanë njoftuar se nuk do të tërhiqen dhe se protestën do ta vijojnë ditën e Premte në orën 17:00.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.