PS dhe PD, sfida e programeve. Nis zyrtarisht fushata, Kraja: “Programi për njerëzit.” Gogo: “Programi për punën”
Ka nisur mbrëmjen e 25 Marsit zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Në një përballje direkte vetëm pak kilometra larg, me stil thellësisht të ndryshëm, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë çelur 30 ditët në të cilat duhet të bindin shqiptarët për votën e tyre. Toni Gogu dhe Akil Kraja ishin në “Argument” për të shpjeguar frymën e programeve të tyre.
Përballja për zgjedhjet e 25 Prillit ka nisur zyrtarisht në sheshet e Tiranës. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë prezantuar kandidatët e tyre pothuajse në të njëjtën orë në dy sheshet kryesore të kryeqytetit. Të ftuar në emisionin “Argument”, përfaqësuesit e dy forcave më të mëdha në vend shpalosën frymën nga e cila udhëhiqen programet e tyre për 4 vjecarin e ardhshëm.
“Premtimi jonë dhe angazhimi për të rritur pagat e arsimtarëve dhe mjekëve në 1200 euro për të rritur 6% më shumë se inflacioni pensionet, pra dyfish, premtimi për të rikthyer fashën mbrojtëse prej 300kW, premtimi për 150 mln për buxhetin e bujqësisë, premtimi për të investuar masivisht në ekonominë digjitale. Pa modesti them se ky është një nga programet më të mira që kemi bërë ndonjëherë. Kam pasur nderin të jem pjesë e programit të punës dhe kemi punuar me CDU- gjermane dhe konservatorët britanikë. Partnerët na kanë ndihmuar në çdo hap që të fuqizojmë demokracinë, t’i kthejmë shpresë Shqipërisë për taksa të ulëta dhe biznese më të forta.” – u shpreh Akil Kraja.
“Programi im ka filluar të flasi. Unë jam në Vaqarr, Pezë dhe Ndroq. Programi flet sepse dëgjohen zhurmat e betonierëve që ndërtojnë shtëpitë, flet sepse dëgjohet zhurma e punëtorëve që ndërtojnë shkollat, flet sepse ne jemi aty me mjekët e familjes që po përballojnë pandeminë në një mënyrë të paimagjinueshme. Pra programi ynë flet dhe shkon nëpër biznese dhe flasin ato se si do ndikojë gjithë paketa që ne ofrojmë me taksën progresive dhe eleminimin e taksave për bizneset e vogla dhe të mesme.” – u shpreh Toni Gogu.
Enio Civici / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.