Pyllëzimi i Tiranës – Mbillen 110 pemë, Veliaj: Kontribut për një qytet më të pastër

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe një grup studentësh, që iu bashkuan nismës për projektin e Pyllit Orbital, mbollën 110 pemë të reja të dhuruara nga biznesi, për të vijuar pyllëzimin e qytetit.
“Falë bujarisë së donatorëve po mbjellim 110 pemë të reja, për të ecur me idenë e Pyllit Orbital. Më vjen mirë për studentët, jo se na lipset krahu i punës, sepse kemi mjaftueshëm njerëz që kontribuojnë, por unë besoj se shenjon një trend të ri. Trendet nuk janë vetëm celularë, rrjete sociale apo kafene, por trend është edhe sjellja që kemi ndaj qytetit që kemi trashëguar e që duhet t’ia lëmë dikujt tjetër trashëgim”.
Duke theksuar rëndësinë e marrjes së vendimeve të drejta për mbrojtjen e mjedisit dhe uljen e nivelit të ndotjes së ajrit, kryebashkiaku kërkoi prej qytetarëve që në vend të automjeteve, të përdorin biçikletat.
“Para dy vitesh e filluam si qyteti më i ndotur në Ballkan, sot jemi tre herë më të pastër se Shkupi. Do të thotë se jemi produkte të vendimeve që marrim vetë. Nëse marrim vendime për më shumë gjelbërim, për më pak përdorim makinash, më shumë pista biçikletash dhe pista vrapimi, atëherë produkti i këtyre vendimeve është ajri më i pastër në Tiranë. Ndaj, vendimet që marrim udhëheqin jetën e këtij qyteti, i cili varet nga vendimet që marrim sot”, tha Veliaj.
Bashkia e Tiranës do të vijojë me aksionin për mbjelljen e pemëve të reja në kryeqytet deri në fund të stinës, për jetësimin e projektit të Pyllit Orbital, ndërkohë që deri në vitin 2030 parashikohet të mbillen 2 milion pemë.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.