Qeveria rishikon buxhetin 2021 – Rriten të ardhurat dhe shpenzimet pa kaluar dy muaj nga miratimi në Kuvend
Pa kaluar dy muaj nga miratimi në Kuvend i buxhetit të shtetit për vitin 2021, qeveria ka ndërhyrë në këtë dokument nëpërmjet një akti normativ të publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare. Referuar këtyre ndryshimeve, të ardhurat janë rritur me 3,5 milionë lekë dhe përafërsisht në të njëjtën shifër edhe shpenzimet. Ndërkohë, deficit buxhetor qëndron i pandryshuar në 108, 695 miliardë lekë.
Në aktin normativ, përcaktohen rritje të shpenzimeve të buxhetit qendror, si edhe të fondit rezervë. Ky fond prej 5 miliardë lekësh përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave për raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme, në masën 3 miliardë lekë, nga i cili 462 milionë lekë për pagesën e naftëtarëve. Për përballimin e kostos së zgjedhjeve për Kuvendin të vitit 2021 është përcaktuar fondi në masën 1 miliardë lekë dhe për hartimin e studimeve të projekteve të investimeve publike strategjike fondi po 1 miliardë lekë.
Kontingjenca për risqet e borxhit prej 4,5 miliardë përdoret nga ministri përgjegjës për financat për të kompensuar rreziqe potenciale nga luhatjet në kurset e këmbimit, ose normat e interesit, me ndikim në shpenzimet për interesa. Gjatë vitit të kaluar buxheti i shtetit ndryshoi 6 herë në ulje për shkak të masave që ndërmori qeveria për të përballuar situatën e pandemisë.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.