“Qeveria të mbajë premtimet”, Dhoma Amerikane: Të ulen taksat
Në një kohë kur pritet të nisë nga puna qeveria e re, komuniteti i biznesit të huaj, që zhvillon aktivitetin ekonomik në vendin tonë, kërkon që të mbahen premtimet e bëra në fushatën elektorale për lehtësimin e barrës fiskale.
President i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crowford, u shpreh në një intervistë për TV SCAN, se qeveria e re duhet të ulë taksat që Shqipëria të jetë konkurruese në Rajon.
“Anëtarët tonë presin që qeveria do të plotësojë premtimet që ka bërë gjatë fushatës. Ne e dimë që opozita donte të zbriste taksën shumë, por edhe kjo qeveri që fitojë thanë që do zbresin taksat. Kështu që të jemi konkurrent në rajon, një çështje që ne kemi folur për shumë vite”.
Ngritja e një dikasteri të ri për mbrojtjen e sipërmarrjes vlerësohet nga Crowford, edhe pse sipas tij, nuk është e qartë si do funksionojë.
“Nuk jam i sigurt si do funksionojë kjo ministri praktikisht. Besoj se kryeministri ka parë situatën, ankesat nga sektori i biznesit që nuk ishin plotësuar apo dëgjuar nga ministritë përkatëse, dhe kishën nevojë për këto iniciativa të reja. Kështu që ne si Dhomë Amerikane do të kemi bashkëpunim me këtë ministri, dhe do shohim si do shkojnë rezultatet”.
Dhoma Amerikane e Tregtisë është një ndër organizatat e biznesit më aktive në vend, dhe jo rrallë herë ka patur dhe “përplasje” me qeverinë për nisma të ndryshme ligjore, të cila kanë të bëjnë me zhvillimet ekonomike në vend.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.