Rama nga samiti i NATO-s: “Arrita që liderët t’i përfshij emocionalisht në tragjedinë tonë, së shpejti një konferencë donatorësh”
Kryeministri Edi Rama ka folur për mediat nga Samiti i Liderëve të aleancës së NATO-s që po zhvillohet në Londër, ku krerë nga e gjithë bota janë mbledhur për të përkujtuar 70 vjetorin e themelimit të kësaj organizate.
Ashtu siç kishte njoftuar edhe më herët kryeministri Rama u shpreh se qëllimi kryesor i tij për pjesëmarrjen në këtë samit ishte ndërgjegjësimi i shteteve dhe kërkimi i ndihmës financiare për përballimin e situatës pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit.
Qëllimi, tha më tej Rama është një konferencë e madhe donatorësh për të mbledhur sa më shumë fonde për rindërtimin pas tërmetit. E ndërsa vetë do të kthehet, kreu i qeverisë theksoi se ministrat Xhaçka dhe Cakaj do të vijojnë komunikimet me homologët në funksion të ndihmës për Shqipërinë.
“Takova kryeministren e Danimarkës ka qenë e interesuar, kryeministrin e Italisë Conte dhe po kështu edhe të Kanadasë. Me Presidentin Trump kemi folur, me Presidentin Erdogan dhe të shikojmë më tutje, qëllimi është një konferencë e madhe donatorësh, reagimet e para janë pozitive. Po vijojmë punën intensive në këtë drejtim. Fokusi ka qenë në këtë temë natyrisht që ka pasur edhe elementë në bisedë lidhur me ecurinë e procesit të brendshëm në BE, si do të shkojë procesi i diskutimit dhe si mund të shkojnë mbi dokumentin e paraqitur nga Franca për një ndryshim të metodologjisë. Por unë kam qenë i fokusuar te kjo çështje që prek njerëzit.
Në fjalën e tij, shefi i ekzekutivit u shpreh se mendon që ia ka arritur që liderët e tjerë të Aleancës ti përfshijë drejtpërdrejt emocionalisht në tragjedinë shqiptare pas tërmetit që mori 51 jetë.
“Vendi do të bëjë të njëjtat gjërat sikur të ishin hapur negociatat. Ministrja e Mbrojtjes po vijon komunikimet me homologët edhe ministri i Jashtëm në detyrë. Mua më duhet të kthehem, u kemi vënë në dispozicion edhe dokumentet dhe shumë informacion për një pamje të qartë, pasi në nivelin e ministrive të jashtme apo në Bruksel informacioni ka arritur dhe ndjekja bëhet në kohë reale, vijojmë që të shikojmë ndihmë për logjistikën e strehimit të përkohshëm. Por ajo ka qenë objektiv dhe them se i kam arritur, të përfshijë drejtpërdrejt liderët dhe emocionalisht ata që janë të rëndësishëm në këtë proces” tha ai.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.