Reagimi i biznesit – 81 % vlerësojnë aksionin anti-informalitet
Aksioni anti informalitet i nisur dy vjet me parë ka dhënë një sërë efektesh pozitive, jo vetëm në të ardhurat në buxhetin e shtetit, por edhe në perceptimin e vetë sipërmarrjes.
Gjatë viteve të fundit drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ndryshoi dhe komunikimin me biznesin, duke lehtësuar shumë procedura.
Tashmë ky aksion ka hyrë në fazën e tretë të tij e cila është fokusuar tek kontrolli në bazë të analizës së riskut.
Sipas njoftimit zyrtar të këtij institucioni, në 12 javë të aksionit anti informalitet, tatimpaguesve iu dha mundësia të jepnin opinionin e tyre mbi cilësinë e inspektimeve. Përmes instrumentit Mekanizmi i Reagimit Qytetar, u dërguan SMS te tatimpaguesit të cilët dhanë përgjigje mbi cilësinë e inspektimit të kryer më herët te ata.
Nga analiza e këtyre përgjigjeve rezulton se 81% ose 1803 tatimpagues mendojnë se inspektimi ishte pozitiv.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve garanton se çdo sugjerim, ankesë apo denoncim i biznesit është trajtuar me seriozitet në funksion të përmirësimit të cilësisë së inspektimeve dhe rritjes së mëtejshme të nivelit profesional.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.