Reforma në inspektorate – Drafti në kryeministri: Ja si riorganizohen strukturat ekzistuese
Inspektoratet shtetërore do t’i nënshtrohen riorganizimit tërësor, duke grupuar kompetencat sipas fushës së inspektimit.
Një ditë pas asamblesë së Partisë Socialiste, ku Niko Peleshi propozoi ndryshimet që duhet të pësojnë inspektimet, TV SCAN zbardh draftin që Inspektorati Qendror i ka propozuar kryeministrisë.
Ky dokument parashikon reduktimin e numrit të inspektorateve ekzistues si dhe krijimin e strukturave të reja, që nuk kanë ekzistuar deri më tani. Kështu, propozohet që Inspektoratit Shtetëror të Punës, përveç funksioneve aktuale t’i shtohen inspektimet në fushën e sigurimeve shoqërore dhe administrative, pasi kanë si objekt të përbashkët marrëdhëniet e punës.
Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor do t’i shtohen funksione inspektuese edhe fushat e inspektimit të barnave dhe pajisjeve mjekësore, fushat e mbrojtjes nga rrezatimi, fusha e inspektimit të fondit të sigurimeve shëndetësore si dhe ajo e mjedisit, duke qenë se kanë funksione të përbashkëta inspektuese dhe qëllimi kryesor është sigurimi i jetës dhe shëndetit të njerëzve.
Ndërkohë që, inspektimi pyjor do t’i kalojë pushtetit vendor për një mirëmenaxhim të hapësirave pyjore, sipas njësive administrative.
Autoritetit Kombëtar të Ushqimit pritet t’i shtohen funksionet inspektuese të peshkimit dhe veterinarisë, pasi kanë qëllim të përbashkët sigurinë ushqimore. Ndërsa, Inspektoratit Shtetëror të Ujërave propozohet t’i shtohet dhe inspektimi në fushën e mbrojtjes së tokës dhe digave, duke siguruar menaxhimin e burimeve ujore dhe ruajtjen nga ndotja.
Sipas draftit, pranë Inspektoratit Shtetëror të Arsimit, do të përfshihet inspektimi në fushën e arsimit të lartë dhe sporteve, të cilat aktualisht kryhen nga drejtori brenda MAS. Gjithashtu, në këtë inspektorat do të shtohen edhe funksione inspektuese të trashëgimisë kulturore, të cilat aktualisht kryhen nga drejtoria e Përgjithshme e Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës.
Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial do t’i bashkohen funksionet e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë dhe Emergjencave në Miniera si dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore. Ndërkohë që, Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut do t’i shtohen funksionet inspektuese të Autoritetit Kombëtar Shtetëror të Eksporteve, pasi kanë si qëllim të përbashkët mbikëqyrjen e produkteve dhe mallrave joushqimore.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.