Reforma zgjedhore, Bylykbashi: Paratë e paligjshme kanë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve
Për zbatimin e Reformës zgjedhor nevojitet një kuadër i ri rregullator mes të cilit partitë politike të bëjnë transparencë paraprakë për burimet financiare.
Sipas Kryetarit të KQZ Klement Zguri në konferencën “Reforma zgjedhore: përmirësimi i kuadrit ligjor dhe institucional për rregullimin e financimit të partive politike dhe fushatës zgjedhore “, korrupsioni në financim prodhon vetëm zgjedhje të korruptuara.
Bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore Oerd Bylykbashi, u shpreh se paraja e paligjshme në vend është në një volum gjigand dhe ka ndikuar jo vetëm në financimin e partive por edhe tek rezultati i zgjedhjeve.
Kjo konferencë është vijimësi e projekteve të “Instrumenti Horizontal “i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë për përcaktimin e standardeve, monitorimin dhe metodologjitë e bashkëpunimit.
Në fushën e luftës kundër krimit ekonomik, janë hartuar tre veprime specifike në kuadër të Programit të Instrumentit Horizontal, më specifikisht në Shqipëri, Mal të Zi dhe në “Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë”.
Këto veprime do të synojnë të përmirësojnë zbatimin e rekomandimeve kyçe të Grupit të Shteteve kundër Korrupsionit të Këshillit të Evropës (GRECO) dhe të Komitetit të Ekspertëve për Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimin e Terrorizmit.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.