Rekord padish kundër hipotekave – Zyra e Regjistrimit të Pasurive në Tiranë, 250 padi në 2017
Hipotekat janë një prej institucioneve me numrin më të madh të padive gjyqësore ne vend. Vetëm gjatë vitit 2017 ndaj Zyrës Rajonale të Regjistrimit të Pronave në Tiranë janë ngritur 250 padi.
Pjesa më e madhe e padive është ngritur nga qytetarët e biznese, ndërkohë që rreth 50 prej tyre janë bërë nga prefekti i qarkut të Tiranës. Pjesa dërrmuese e padive të ngritura nga institucioni i Prefektit kërkojnë kthimin e pronave shtetërore që sipas tij janë regjistruar në kundërshtim me ligjin në favor të subjekteve privatë nga ana e hipotekës. Ndërsa qytetarët e bizneset i janë drejtuar gjykatës për mbivendosje pronash, njohjen e së drejtës së mohuar të pronësisë, apo regjistrimin e pronave sipas vendimit të institucioneve përkatëse.
Një numër i madh padish kundër Zyrës së Regjistrimit të Pronave në Tiranë rezultojnë në shqyrtim e sipër në Gjykatën e Apelit Administrativ, ashtu si dhe në Gjykatën e Lartë. I njëjti volum padish kudër zyrave të hipotekave vërehet edhe nëpër Gjykatat Administrative në rrethe.
Të enjten në mbrëmje Kryeministri Edi Rama u kërkoi dorëheqjen 35 drejtorëve të zyrave të regjistrimit të pasurisë në të gjithë vendin. Të Premtem u bënë publike dorëheqjet e para nga pesë zyra rajonale, ndërkohë që Televizioni SCAN ka mësuar se gjatë fundjavës kanë paraqitur dorëheqjet thuajse të gjithë drejtorët e hipotekave në gjithë vendin.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.