Renditja/Indeksi Global i Paqes: Bota është bërë më pak paqësore, por Shqipëria bën progres
Shqipëria ka bërë përmirësim, sa i përket paqes dhe sigurisë. Sipas Indeksit për Paqen Globale 2018 të publikuar nga Instituti për Ekonomi dhe Paqe, me qendër në Sidnej, vendi ynë renditet në pozicionin e 52, nga 57 që mbante një vit më parë.
Nga ana tjetër Instituti zbuloi “se bota është bërë më pak paqësore gjatë vitit të kaluar, pasi konfliktet e gjata globale mbeten të pazgjidhura dhe Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera botërore përballen me jostabilitet politik”.
Shqipëria le pas Greqinë, të renditur në vendin 79, Bosnjë-Hercegovinën në vend të 89, Maqedonia 87, Mali Zi 58, Serbi 54 dhe Kosovën, të renditur më keq në Ballkan, në vendin e 92.
Renditja bëhet në bazë të analizës së 13 të dhënave, ku përfshihet kriminaliteti, qëndrueshmëria politike, armatimi, siguria apo dhe terrorizmi.
Indeksi, i cili ka marrë në studim 163 shtete, nga analiza e të dhënave gjeti se bota u bë 0.27 për qind më pak e qetë krahasuar me vitin 2016, me 92 shtete që përkeqësoheshin dhe vetëm 71 vende po përmirësoheshin.
Raporti nënvizon se “përkundër këtij përkeqësimi në botë, Europa është rajoni më paqësor i Indeksit Global të Paqes për të dhjetin vit radhazi”.
“Shtatë nga tetë përmirësimet më të mëdha ishin në Evropën Lindore: Maqedonia (IRJ), Mali i Zi, Sllovakia, Shqipëria, Kroacia dhe Rumania. Të gjithë përveç Rumanisë regjistruan përmirësime në Paqen dhe Sigurinë; dhe të gjithë përveç Malit të Zi përjetuan një rënie në konfliktet e jashtme”, thuhet në raport.
Islanda mbetet vendi më paqësor në botë, një pozicion që e mban që nga viti 2008. Zelanda e Re, Austria, Portugalia dhe Danimarka gjithashtu renditen në top listën 5, si vendet më paqësore në botë. Nga ana tjetër Siria mbetet vendi më pak paqësor në botë, një pozicion që ka mbajtur për pesë vitet e fundit. Aganistani, Sudani i Jugut, Iraku dhe Somalia renditen si vendet më pak paqësore në botë.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.