Rënia e lirës shtyn fqinjët të dynden drejt Turqisë për të bërë një ‘pazar të çmendur’!

Blerësit bullgarë po kalojnë kufirin perëndimor të Turqisë me makina dhe autobusë të mbushur plot, duke përfituar nga një rënie e lirës turke për të shijuar pazaret e tyre të fund vitit. Ndalesa e tyre e parë është shkëmbimi i monedhës dhe më pas shkojnë në tregjet dhe dyqanet ushqimore në qytetin veriperëndimor turk të Edirne.
Në prag të Krishtlindjes, tregu turk i qytetit ishte i mbushur me blerës nga Bullgaria. Turqia është në grahmat e një krize ekonomike me shifra zyrtare të inflacionit mbi 21 %, duke ndikuar në çmimet e ushqimeve, karburanteve dhe sendeve shtëpiake.
Por për blerësit bullgarë, dyqanet ushqimore janë një Pazar i mirë, dhe ata largohen nga vendi me çantat e tyre të mbushura plot.
Lira ka përjetuar muajin e saj më të paqëndrueshëm në dhjetor, duke rënë pothuajse çdo ditë dhe më në fund arriti nivelin më të ulët historik prej 20.04 kundrejt euros më 20 dhjetor, kur monedha turke humbi më shumë se 60 % të vlerës së saj ndaj monedhës europiane këtë vit. Turistët kanë përfituar nga kjo rënie e monedhës.
Lira që atëherë është rimëkëmbur pasi presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan njoftoi mjete të reja financiare për të mbrojtur depozitat e lirës nga luhatjet e monedhës dhe e mbylli javën në 12.65 kundrejt euros.
Në një intervistë televizive të premten e kaluar për stacionin televiziv lokal A Haber, Erdogan tha se rikthimi i vlerës së lirës tregon se “turqit kanë vënë besimin e tyre në sistemin e ri ekonomik të Turqisë”. Erdogan tha gjithashtu se Turqia është e përkushtuar ndaj parimeve të tregut të lirë dhe premtoi se masat do të stabilizojnë më tej monedhën.
Bülent Reisoğlu, presidenti i kooperativës së pazarit Ulus në Edirne, tha se numri i të huajve është katërfishuar gjatë javëve të fundit. Blerësit vinin edhe nga Greqia fqinje, duke i kthyer eurot në lira.
Pavarësisht rritjes së lirës në javën e kaluar, monedha kombëtare turke ka humbur ende gati 40 % të vlerës së saj këtë vit, shkaktuar nga këmbëngulja e Erdoganit për uljen e normave të interesit, të cilat aktualisht qëndrojnë në 14 %.
Teoria e krijuar ekonomike thotë se inflacioni i lartë mund të ulet duke rritur normat e interesit, por Erdogan argumenton të kundërtën. Sipas programit të tij të ri ekonomik, Erdogan dëshiron kredi të lira, eksporte të larta dhe rritje të madhe.
Me turqit që presin bukë në radhë të gjata në të ftohtë këtë muaj, rënia e fuqisë së tyre blerëse mes rritjes së çmimeve ka qenë e dukshme me dhimbje. Erdogan u ka kërkuar bizneseve turke që të ulin çmimet e tyre ndërsa lira të stabilizohet, por ende nuk ka asnjë shenjë se diçka do të ngadalësojë blerësit bullgarë në Edirne së shpejti.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.