Rikonstruksion konvikteve – Përfitojnë 600 studentë në Qytetin Studenti Nr.2
Rreth 600 studentë të inxhinierisë dhe fakulteteve të tjera që jetojnë në Qytetin Studenti Nr. 2, pranë “21 Dhjetorit”, do të kenë shumë shpejt mjedise tërësisht të rikonstruktuara dhe me standarde që garantojnë ngrohje me eficencë energjetike.
Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schütz përuruan fillimin e punimeve për rindërtimin, sipas parimit të eficencës energjetike të godinave në këtë zonë, në kuadër të projektit për rehabilitimin e konvikteve ku Bashkia e Tiranës është përfituese direkte.
Kryebashkiaku Erion Veliaj, theksoi se përmes këtij projekti bëhet e mundur përdorimi më efecient i energjisë elektrike, duke ulur ndjeshëm kostot që duhet të paguajë Bashkia për ngrohje.
Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri vlerësoi se ky është një investim që ofron jo vetëm mundësi dhe kushte më të mira për studentët, por dhe që kursen 20 për qind energji.
Qeveria Federale ka vënë në dispozicion 15,5 milionë euro për të gjithë projektin; nga të cilët 9 milionë euro do të përdoren për rikonstruksionin energjetik të katër konvikteve, duke përmirësuar ndjeshëm izolimin termik dhe duke rinovuar impiantet e ngrohjes.
Kompleksi i Qytetit Studenti Nr. 2 që po rikonstruksionet përbëhet nga katër ndërtesa 6 katëshe. Ndërhyrja do të ruajë strukturën ekzistuese dhe do të riorganizojë ndarjen në dhoma. Gjithashtu, në çdo kat janë shtuar një kuzhinë, një hapësirë ngrënie dhe lozhe e përbashkët. Për herë të parë, do të instalohet një ashensor, si dhe do të vendosen dy shkallë të jashtme duke siguruar dalje emergjente.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.