Rikonstruktohet qendra shëndetësore e Cakranit – Përfitojnë rreth 30 mijë banorë
Me një investim prej 70,000 Euro nga Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim është rikonstruktuar godina e Qendrës Shëndetësore të Cakranit, ku përfitues janë rreth 15 mijë banorë të zonës, por edhe 3 njësive administrative përreth.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se zgjerimi i aksesit dhe ofrimi i kujdesit shëndetësor cilësor, janë prioritete të Ministrisë.
“Në këtë kuadër, ky investim, me mbështetjen e Bashkëpunimit Zviceran, nëpërmjet “Shëndet për të Gjithë”, përmirëson shërbimin jo vetëm për 15 mijë banorët e zonës së Cakranit, por i shërben edhe tre njësive të tjera administrative, duke mbuluar në total rreth 30 mijë banorë. Është një model të cilin ne duam ta zgjerojmë dhe në qarqe të tjera të vendit”, u shpreh Manastirliu.
Ndërsa Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, Christoph Graf theksoi se profesionistët e shëndetësisë kanë nevojë edhe për infrastrukturë të përmirësuar përveç trajnimeve dhe edukimit të vazhduar.
Gjithashtu qendra u pajis me mobilje: tavolina, rafte, dhe stola pritjeje për pacientët.
Qendra shëndetësore e Cakranit ofron shërbim shëndetësor parësor 24 orësh, duke u fokusuar në Mjekësinë Familjare, nëpërmjet një stafi prej 5 mjekë familjeje dhe 23 infermierë që punojnë në këtë Qendër dhe në 13 ambulancat e fshatrave, me disa lloje shërbimesh. Godina e Qendrës Shëndetësore të Cakranit ish ndërtuar në vitin 1978 dhe që nga ky vit nuk ka pasur asnjë investim apo rikonstruksion.
Eralda Zito/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.