“Rindërtohet” ish-frigoriferi – Veliaj: Projekti prek 13.2 ha, cilësi punimesh si në qendër

Bashkia e Tiranës ka nisur punimet për rindërtimin e gjithë bllokut të banimit në zonën e ish-Frigoriferit në Njësinë 8. Projekti prek një hapësirë prej 13.2 ha, ndërsa prej tij përfitojnë rreth 8 mijë banorë, si dhe bizneset që operojnë në këtë zonë. Punimet u inspektuan nga kryebashkiut, Erion Veliaj, i cili theksoi se punimet po kryhen me të njëjtën cilësi si në qendër të qytetit.
“Siç po investojmë me ndriçim LED në Bulevardin kryesor dhe në sheshin “Skënderbej”, do vendosim ndriçim LED edhe këtu; siç do të fusim kabujt në tokë dhe gjithë këtë kukurecin e telave nëntokë në qendër, ashtu do ta bëjmë dhe në periferi, për të punuar me të njëjtën cilësi dhe për të mos iu kthyer disa herë punëve. Sigurisht, kemi hyrë në stinën e dimrit, në stinën e reshjeve, do të bëjmë maksimumin që aq sa na lejon koha të ecim shpejt këtë vit dhe të përfundojmë në gjysmën e parë të vitit tjetër. Vërtet do ketë pak rrëmujë, baltë dhe llucë derisa të përfundojë puna, por si në çdo shpi ku pasi punohet ka pak tollovi, në fund të ditës marrim një produkt shumë më cilësor”.
Zona në të cilin po zbatohet projekti i rehabilitimit kufizohet nga rrugët: “Besa” – “Siri Kodra” – “Zenel Bastari” dhe “Haki Rexhep Kodra”. Ky bllok banimi përfshin gjithsej 18 segmente rrugore e sheshe dhe parashikon sistemimin e rrugëve dhe shesheve të bllokut, me elementët e infrastrukturës rrugore dhe urbane.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.