Ross, ish-bankieri në krye të tregtisë së SHBA-së

Wilbur L. Ross Jr., është një ish bankier dhe investitor, i cili ka fituar miliarda dollarë gjatë dekadave duke shitur dhe blerë industri, ndaj Presidenti Trump e ka besuar atë në drejtimin e negociatave të tregtisë. Të hënën, ai u konfirmua nga Senati me 72 vota pro dhe 27 kundër, si Sekretari i Tregtisë.
I ashtuquajtur “mbreti i falimentit” për blerjet e kompanive të rrënuara në industrinë e çelikut, qymyrit, tekstilit dhe bankingut, Ross ka fituar një pasuri prej 2.5 miliardë dollarësh, duke u renditur mes 250 njerëzve më të pasur në Amerikë, sipas Forbes.
Ross ka punuar për vite të tëra në bankën e investimeve të Rothschild në New York, kohë gjatë së cilës ai përfaqësoi kazinonë e Trump Taj Mahal, e cila ishte në rënie, dhe e ndihmoi atë të krijonte një ujdi që e lejoi Trump të mbante pronësinë e saj.
Në fillim të viteve 2000, Ross bleu disa nga fabrikat e çelikut më të mëdha në Amerikë e më pas ua shiti një konglomerati nga India, duke e ndihmuar kështu të formojë atë që sot është kompania më e madhe e çelikut në botë.
Konfirmimi i Ross si Sekretar nuk pati ndonjë kundërshtim, megjithëse disa senatorë demokratë i kërkuan të sqaronte lidhjet e tij tregtare me disa aksionerë rusë, gjatë kohës që shërbente në bordin e një banke qipriotë.

Disa kritikë e dënojnë Ross për marrjen e disa kompanive në vështirësi e dërgimin e vendeve të punës jashtë vendit, ndërsa përkrahësit thonë se ai shpëtoi kompani të mëdha nga falimenti duke ruajtur vendet e punës amerikane. Vetë Trump e ka lavdëruar Ross si një biznesmen të mirë dhe si një nga këshilluesit më të vlefshëm në administratën e tij.
Për të marrën pozicionin në krye të Departamentit të Tregtisë, Ross pranoi të jepte dorëheqjen nga dhjetëra borde si dhe të evitonte konfliktet e interesit nga pothuajse të gjitha kompanitë e tij.
Roli që ai do të ketë në administratë do të ndihmojë shumë në rinegocimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Amerikës Veriore (NAFTA), si edhe të përftojë marrëveshje tregtare më të mira për Amerikën.
“Unë nuk jam kundër tregtisë, jam pro tregtisë, por jam pro tregtisë së ndjeshme dhe jo pro tregtisë që është në disfavorin e punëtorëve amerikanë dhe komunitetit amerikan të prodhuesve”, u shpreh Ross gjatë seancës së tij të konfirmimit në komisionin e tregtisë të Senatit në 18 Janar.
“Mendoj se duhet t’u japim akses në tregjet tona atyre shteteve të cilat luajnë ndershëm, sipas rregullave dhe u japin të gjithëve kushte të barabarta për të konkurruar. Ata të cilët nuk duan këtë gjë, nuk mund t’ia hedhin paq, duhet të ndëshkohen rëndshëm”, tha ai.
Departamenti i Tregtisë ka mbi 40 mijë punonjës dhe mbikëqyr një sërë shërbimesh qeveritare, përfshirë Zyrën e Censusit, parashikimin e motit, menaxhimin e tregtisë dhe peshkimit.
Përshtati: Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.