Rregullat e reja për procedurat tenderuese – Në fuqi nga 31 marsi, APP: Risitë për operatorët ekonomikë
Prej datës 31 mars 2021 procedurat tenderuese do të zhvillohen sipas rregullave të ndryshuara, në bazë të ligjit të ri “Për prokurimin publik”. Sipas Agjencisë së Prokurimit Publik ky ligj sjell një sërë risish për operatorët ekonomikë, sikurse është lehtësimi i pjesëmarrjes në tenderë, nëpërmjet përdorimit të Formularit Përmbledhës të Vetdeklarimit, në vend të disa vetdeklarimeve dhe/ose vërtetimeve të lëshuara nga autoritetet publike ose palë të treta.
Po ashtu, operatorëve ekonomikë nuk u kërkohet të dorëzojnë dokumente mbështetëse, kur autoriteti kontraktor i ka këto dokumente. Ndërkohë që, operatori ekonomik nuk skualifikohet nga procedura e prokurimit edhe në rastet kur ka detyrime ndaj organeve tatimore, për të cilat ka lidhur një marrëveshje detyruese me qëllim pagimin e taksave ose kontributeve të sigurimeve shoqërore që duhet të paguajë.
Gjithashtu, mbështetja në kapacitetet e subjekteve të tjera është një parashikim i ri, i cili lejon operatorët ekonomikë me qëllim plotësimin e kërkesave të përcaktuara nga autoriteti kontraktor në dokumentet e tenderit, të mund të mbështetet në kapacitetet ekonomike e financiare, aftësinë teknike ose profesionale të subjekteve të tjera, pavarësisht natyrës juridike të lidhjeve që ai ka me ta.
Një tjetër risi është ulja e afatit minimal të periudhës së përjashtimit të operatorëve ekonomikë nga e drejta për të fituar kontrata publike, duke filluar nga 3 muaj. Ndërkohë që , si një masë mbrojtëse për autoritetet kontraktore është vendosur paraqitja e Sigurimit të Ofertës, në rast të tërheqjes së ofertuesit. Për herë të parë, ligji i ri parashikon edhe konceptin e modifikimit të kontratave gjatë zbatimit të tyre deri në vlerën 20%, sikurse parashikohet në Direktivat e Bashkimit Europian.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.