Rriten azilkërkuesit shqiptarë/ Hapja e kufijve nxit trendin, por sërish ende shumë larg niveleve të para Covid

Qershori ka sjellë një rritje të numrit të azikërkuesve shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian. Rritja duket të jetë reflektim i rihapjes së pjesshme të kufijve pas izolimit të madh. Kështu, të dhënat e zyrës europiane të mbështetjes së emigrantëve (easo) tregojnë se, gjatë qershorit, kërkesat për azil për herë të pare, nga shtetas shqiptarë, fiksoheshin në 228. Muajin paraardhës, kjo shifër fiksohej në vetëm 66 kërkesa, pra në rritje me 245%.
Gjatë muajit prill ndërkohë kishte rreth 112 kërkesa. Pavarësisht rritjes së madhe të kërkesave gjatë qershorit, ato mbeten ende shumë larg niveleve të para covidit. Në shkurt të këtij viti kishte 896 kërkesa, kur filloi edhe të reflektohej për herë të parë Covid-19 në shifrat e azilantëve.
Çdo muaj i mëparshëm ndërkohë ka njohur shifra me mbi 1 mijë aplikime. Rritja e numrave gjartë qershorit nuk ka ndikuar në rritjen e numrit të përgjithshëm të shqiptarëve në pritje për një përgjigje. Aktualisht kjo shifër fiksohet në diçka më pak se 5 mijë persona. Në dhjetor të vitit të kaluar ndërkohë, fiksohej në rreth 13 mijë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.