“Rritet me 50 mijë numri i bizneseve në vend”. Turizmi, Rama: Investimet me 4-5 yje, 10 vite taksë zero për sipërmarrësit

“Sot kemi rreth 50 mijë biznese më shumë se 4 vite më parë. Shqipëria është e sigurt për të bërë biznes, pasi është vend me potenciale të pashfrytëzuara”. Kështu është shprehur kryeministri Rama, gjatë fjalës së tij në Konferencën e Dhomave të Tregtisë, duke u ndalur në sektorin e turizmit dhe lehtësitë që do të krijohen për investitorët në këtë fushë.
“Për të dytin vit radhazi kemi qenë dëshmitarë të një rritje eksponenciale të kërkesës me 25 për qind, në këtë rast oferta mbetet më e ulët se sa kërkesa, çka do të thotë se ka nevojë për 25 për qind më shumë për kapacitet, për të përballuar kërkesën.
Ka një pjesë të kësaj kërkese që vjen duke u rritur në lidhje me turizmin në nivele më të larta për 4 ose 5 yje, do t’i vendosim në vëmendje prioritare pasi nga ky investim vijnë të ardhurat më të mëdha dhe krijohet turizmi më cilësor, pasi kemi aprovuar ligjin. Jemi duke përgatitur një paketë të re që do të krijojë mundësi për çdo investim me 4 ose 5 yje, që të ketë një periudhë 10 vjeçare pa taksa. Besojmë se kjo është rruga për të qenë konkurrues për të pasur një nxitje në sektor dhe një rrije punësimi”.
Kryeministri Ram, ndër të tjera foli edhe për një plan të qartë për investimet e huaja, të cilat sipas tij janë të domosdoshme dhe përbëjnë priroritet kryesor.
“Nëse do të kthejmë kokën pas për të parë se ku e nisëm rrugëtimin, për të qenë sot këtu me një pasuri të dhënash inkurajuese. Është bërë shumë, është rezultat edhe i një politike të fokusuar tek nxitja dhe mbështetja e biznesit.
Kemi rreth 50 mijë biznese më shumë që operojnë në Shqipëri se katër vite më parë. Jemi në kushtet kur mund të ridimensonojmë një ekonomi të re në vend, duke u fokusuar te investimet prodhuese”, pohoi Rama.
Kryeministri foli edhe për rastet e trajtuara nga ministrja për Mbrojtjen e Sipërmarrjes që nga momenti kur ka nisur mandati i dytë qeverisës “Rama 2”.
“Kemi bërë hap të rëndësishëm përpara, sepse sot kemi një administratë në dispozicion të sipërmarrjes. 49 raste janë trajtuar nga ministrja e Shtetit në këtë mandat të ri që ka për detyrë të kalojë në funksion të sipërmarrjes të gjitha shkallët, për të mos lejuar që koha të ikë dhe të humbet energji nga ana e biznesit. I ftojmë të gjithë papërjashtim të mos ngurojnë ta përdorin këtë instrument të ri, platformën e bashkëqeverisjes. Sipërmarrja e ka avokatin në dispozicion, ministren e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes”.
Rama foli gjithashtu edhe për heqjen e të gjitha detyrimeve për dokumentet e tepërta ku sipas tij i kursyen biznesit 56 vite.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.