Rritet çmimi i transmetimit të gazit – Albgaz përfiton tarifë 3 lekë më shumë
Në një kohë kur sektori i gazit në vend është në fazë zhvillimi, përmes avancimit të projektit TAP, Albgaz, e vetmja kompani publike e gazit në vend, ka përfituar rritje të tarifës së transmetimit të gazit natyror, me 3 lekë, duke filluar që nga janari i vitit 2018.
Kështu, kjo kompania do të transmetojë gaz me tarifë 28 lekë/m3, nga 25/m3 lekë që ka operuar vitin që shkoi pas. Vendimi është marrë në mbledhjen e radhës së bordit të Entit Rregullator të Energjisë. ERE ka kërkuar nga shoqëria Albgaz që të bëjë korrigjimin e faturave për periudhën Janar-Mars 2018. Ndërkohë që në mbledhjen e muajit Mars, me argumentin e rrjetit të amortizuar dhe shtimi i kostove operacionale, kompania Albgaz ka kërkuar rritjen e tarifës së transmetimit nga 25 lekë/ m3 në 40 lekë/m3.
Rritja e tarifës së transmetimit të gazit, aktualisht prek vetëm kompaninë Albpetrol dhe nuk ndikon në shitjen me pakicë të gazit. Ndërsa gjithashtu, Enti Rregullator i Energjisë, pasi ka evidentuar problematika në dokumentacion, ka miratuar afatin e licencimit prej 30 vjet për kompaninë Albgaz, me kushtin që brenda vitit të plotësojë dokumentacionin e munguar.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.