Rritja e rezervës valutore – BSH bleu 39.2 milionë euro në tremujorin II
Banka e Shqipërisë rriti ndjeshëm blerjet në tregun e brendshëm valutor gjatë tremujorit të dytë të vitit. Sipas shifrave të publikuara ditën e premte, në pesë ankande u blenë 39.2 milionë euro, nga 18 milionë euro që ishin blerë në tremujorin e parë. Operacionet e Bankës së Shqipërisë për blerjen e valutës po kryhen me qëllim rritjen e rezervës valutore. Këto blerje nuk synojnë të ndikojnë kursin e këmbimit mes euros dhe lekut.
Mbiçmimi i lekut gjatë tremujorit të dytë ka favorizuar blerjen e euros me çmime në rënie. Në ankandin e parë, në muajin prill, euro është blerë me një kurs mesatar prej 124.5 lekësh, ndërsa në ankandin e fundit, të muajit qershor, kursi mesatar i blerjes ka zbritur në 121.75 lekë.
Banka e Shqipërisë ka planifikuar të vazhdojë blerjen e euros edhe në gjysmën e dytë të vitit. Për tremujorin e tretë janë organizuar pesë ankande të tjera, por rezultatet e tyre nuk janë ende publike. Pritet që, deri në fund të vitit, të organizohen edhe pesë ankande të tjerë.
Gjithsej, në gjysmën e parë të këtij viti Banka e Shqipërisë ka blerë 57 milionë euro, ndërsa gjatë vitit të kaluar u blenë rreth 124 milionë euro me qëllim rritjen e rezervës valutore. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në mesin e këtij viti vlera e mjeteve të rezervës ka arritur në rreth 3.3 miliardë euro, në rritje me 16% krahasuar me një vit më parë.
Në harkun e pesë viteve të fundit, rezerva valutore e Shqipërisë është rritur me rreth 65%. Qëllimi kryesor i rezervës valutore është mbulimi i nevojave të mundshme emergjente që mund të ketë ekonomia për valutë të huaj. Gjithashtu, ajo mund të përdoret në raste të luhatjeve të forta në kursin e këmbimit, të cilat mund të cenojnë stabilitetin makroekonomik të vendit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.