Rruga Tiranë-Elbasan – ARRSH: Gati projekti për zhbllokimin, kushton 640 mln lekë
Rreth 640 milion lekë do të kushtojë ndërhyrja në autostradën Tiranë-Elbasan për heqjen e masivit të gurëve që ka bllokuar këtë segment prej dhjetorit të vitit të kaluar. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka gati 2 variante, ndërkohë që do të jetë Këshilli Teknik i këtij institucioni, i cili do të vendosë se cili prej tyre do të zbatohet.
Njëri prej projekteve të hartuar parashikon ndërtimin e një tuneli, ndërsa tjetri parashikon sheshimin e malit, duke evituar përfundimisht mundësitë për rrëshqitje të tjera. Pavarësisht se nuk ka ende një vendim përfundimtar, përfaqësues të këtij dikasteri thonë se varianti më i mundshëm është ai i ndërtimit të tunelit.
Rrëshkitja në këtë segment ndodhi në datën 9 dhjetor 2017, rreth 2 kilometra larg tunelit në drejtimin Elbasan-Tiranë. Ky segment u vu në funksion para zgjedhjeve të vitit 2013, me inaugurimin e tunelit, ndonëse e gjithë autostrada vijon të jetë ende e papërfunduar. Ndërkaq, Autoriteti Rrugor Shqiptar aktualisht ka gjetur një zgjidhje të përkohshme, duke lejuar kalimin e automjeteve përmes një bypass-i, në drejtimin tjetër të autostradës. Fondi për zhbllokimin e saj do të përballohet nga buxheti i shtetit.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.