Sa “vlen” Italia te ne? – $488 për frymë importe në vit, të 15-tët në listën e tyre
Shqiptarët shpenzojnë mesatarisht rreth 500 dollarë për frymë në vit për produkte italiane. Të dhënat e përpunuara nga “ilsole24ore”, që i referohen vitit 2016, tregojnë se mallrat e importuara në Shqipëri nga Italia gjatë këtij viti shkojnë në $488 dollarë për frymë. Kjo shifër e vendos Shqipërinë të 15-tën në listën e vendeve në të cilat Italia eksporton më shumë për frymë.
Madje, duket se shqiptarët importojnë edhe më shumë se britanikët, grekët, suedezët, portugezët, apo dhe rumunët, vend i cili njihet për lidhjen e ngushtë që ka me Italinë. Prestigjiozja italiane tenton të nxjerrë vendet në të cilat Italia vlen më shumë dhe padiskutim që Shqipëria nuk kishte si të mungonte, pasi bëhet fjalë për partnerin tonë kryesor tregtar të padiskutueshëm.
Të dhënat e Instat ndërkohë, që i referohen vitit 2017 tregojnë një rritje me 5.99% të importeve nga Italia çka sinjalizon se shifra e importeve për frymë është ngjitur përtej 500 dollarëve për frymë. Në vend të parë të listës së vendeve që importojnë më shumë për frymë nga Italia, renditet Zvicra me rreth 2500 dollarë, e ndjekur nga Sllovenia dhe Belgjika, me nga 1900 dhe 1300 dollarë për frymë respektivisht.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.