Sarandë, turizmi “në të zezë” – 401 subjekte informalë në vitin 2016, 38 në Ksamil
Plazhet e Sarandës shfrytëzohen nga subjektet privatë pa paguar qiranë në Bashki, ndërkohë që qindra operatorë punojnë “në të zezë” pa u regjistruar në QKR.
Konstatimi vjen nga një auditim i kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, sipas të cilit, në Bashkinë Sarandë janë lejuar të punojnë “në të zezë” 304 subjekte në vitin 2015, dhe 401 subjekte në vitin 2016, ndërsa për ish-Komunën Ksamil 38 subjekte për periudhën 2014-2015.
Sipas KLSH, punësimi “në të zezë” ka sjellë mospagim të detyrimeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, duke krijuar një të ardhur të munguar për fondin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në vlerën 16,9 milionë lekësh.
Raporti përfundimtar i auditimit thekson gjithashtu se në Bashkinë Sarandë dhe ish-Komunën Ksamil nuk janë zbatuar kërkesat e parashikuara në kontratën e lidhur për dhënien me qira të sipërfaqeve të plazheve, pasi janë lidhur kontrata pa u kryer pagesa e detyrimit për qiranë, duke evidentuar një borxh në vlerën 7 milionë lekë, nga e cila vlera prej 1,4 milionë lekë nga 24 debitorë të ish Komunës Ksamil dhe vlera prej 5,7 milionë lekë nga 23 debitorë të Bashkisë Sarandë.
Ndërsa në vitin 2016 kontratat janë lidhur pa u paraqitur plan biznesi për standardet për ruajtjen e bregdetit dhe sigurisë së pushuesve.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.