Seancat gjyqësore do regjistrohen jo vetëm me audio, por edhe video – KPA hap tender për blerjen e kamerave
Me qellim plotësimin e kushteve për funksionimin dhe mbarëvajtjen e seancave gjyqësore, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka hapur tender për pajisjen e sallave të gjyqit edhe më një sistem video regjistrimi, i cili do t’i bashkëlidhet sistemit ekzistues te regjistrimit audio.
“Instalimi i këtij sistemi do të plotësojë kushtet teknike, jo vetëm për mediat që ndjekin seancat pranë Kolegjit, por do të mundësojë edhe krijimin e një arkive elektronike seancash gjyqësore, audio–video në institucion”, thuhet në specifikimet e tenderit në APP.
Instalimi i sistemit videoregjistrimi do të mundësojë edhe krijimin e një arkivimi elektronik të seancave, si dhe ofrim të planeve audio-video mediave.
“Duke marrë parasysh se salla ku zhvillohen seancat gjyqësore ka hapësirë të kufizuar, në seanca të caktuara, ku ka interes të madh publik, është e pamundur që të gjitha mediat e interesuara të akomodohen në sallë. Pra, është e domosdoshme që institucioni t’ua ofrojë mediave planet audio – video, jo vetëm me qëllim krijimin e kushteve të përshtatshme gjatë punës së tyre (referoju “Rregullores së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për marrëdhëniet me median”, neni 1.pika 1.), por edhe në funksion të informimit publik dhe parimeve të transparencës”.
Projekti synon që në ambientin e sallës së gjyqit të shtohet shërbimi i mbikëqyrjes vizuale nëpërmjet blerjes së 2 (dy) kamerave të vëzhgimit SDI, pajisjes/pajisjeve video regjistruese SDI dhe pajisjes së ruajtjes së regjistrimeve video dhe audio (Storage NAS).
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.