Shërbimi i Hemodializës – QSUT hap tenderin 10.6 milionë lekë për materiale mjekësore
Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza ka hapur ditën e enjte procedurën për blerjen e materialeve mjekësore të nevojshme për ofrimin e shërbimit të hemodializës. Tenderi ka një fond limit prej 10.6 milionë lekësh pa TVSH dhe është ndarë në 3 lote.
Konkretisht dy lote janë për blerjen e seteve të solucionit të bikarbonatit dhe aksesorëve të dializës për dy llojet e makinave, Hospal dhe Fresenius.
Ndërkohë, loti i tretë, i cili ka dhe vlerën më të madhe prej 6.4 milionë lekësh, ka të bëjë me blerjen e filtrave, linjave dhe ageve për hemodializë.
Ofertat për këtë tender do të priten deri më 9 Tetor 2017, kohë pas së cilës do të shqyrtohen ofertat dhe do të përzgjidhet ajo më e ulëta e kualifikuar.
Kompania fituese do të ketë kohë deri më 25 Dhjetor të këtij viti për të dorëzuar materialet e kërkuara mjekësore.
Shërbimi i hemodializës është jetësor për pacientët të cilët kanë probleme me veshkat dhe nuk mund të pastrojnë gjakun nga lëngjet shtesë që formohen në organizëm si ureja dhe potasiumi.
Gjatë viteve të fundit, ky shërbim është ofruar edhe në spitalet e Vlorës, Lezhës, Elbasanit dhe Korçës, duke reduktuar kostot e larta të ofrimit të shërbimit në spitalet private.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.