Shifrat/ Sa është numri i kompanive eksportuese e importuese në Shqipëri! Në eksport dominojnë ato me 1 vend partner, në import ato me 10
Instituti i Statistikave ka publikuar të dhënat e importeve dhe të eksporteve, sëbashku me disa të dhëna të tjera për ndërmarrjet që operojnë në këtë sektor. Referuar të dhënave të publikuara, rezulton se në vitin 2017 eksportet e mallrave janë 273 miliard lekë, duke u rritur 12,1 % krahasuar me vitin 2016. Ndërsa importet e mallrave arritën vlerën 626 miliard lekë, duke u rritur 8,1 % krahasuar me vitin 2016.
Në vitin 2017 pesha e eksporteve në vendet e BE është 77 % të eksporteve të mallrave, duke arritur vlerën 211 miliard lekë. Eksportet në vendet e BE u rritën me 11,0 % krahasuar me vitin 2016. Ndërsa pesha e importeve nga vendet e BE është 62 % të importeve të mallrave, duke arritur vlerën 386 miliard lekë. Importet nga këto vende u rritën me 5,4 %, krahasuar me vitin 2016, raporton portali ekonomik SCAN.
Numri i ndërmarrjeve të eksportit
Referuar të dhënave të INSTAT, numri i ndërmarrjeve eksportuese në vitin 2017 është 2.961, duke u rritur me 8,1 % krahasuar me vitin 2016.
Në vitin 2017, dominojnë ndërmarrjet që eksportojnë drejt 1 vendi partner. Ato kryejnë 36 %, të vlerës së eksporteve, ndjekur nga ndërmarrjet që eksportojnë drejt 3-5 vendeve partnere (18 %).
Numri i ndërmarrjeve të importit
Në vitin 2017, numri i ndërmarrjeve importuese është 10.709 ndërmarrje, duke u rritur me 6,7 % krahasuar me vitin 2016. Në vitin 2017, dominojnë ndërmarrjet që importojnë nga 10 ose më shumë vende partnere. Këto ndërmarrje kryejnë 50 % vlerës së importeve, ndjekur nga ndërmarrjet që importojnë nga 3-5 vende partnere (17 % ).
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.