Shitja e duhanit, me licencë – Pakësim pikave të tregtimit, ministria: Është propozim, mund të ndryshojë
Shitja e produkteve të duhanit do të bëhet vetëm nëpër pika të veçanta, që do të duhet të pajisen me licencë për ushtrimin e këtij aktiviteti”. Gjithçka parashikohet në një projektligj të nxjerrë për konsultim nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, i cili saktëson se ka për qëllim pakësimin e numrit të pikave të shitjes së këtyre produkteve në vend. Ndërkaq, ky dikaster nuk ka preferuar të japë shpjegime të mëtejshme mbi arsyet e këtij propozimi, duke deklaruar për TV SCAN se për momentin dokumenti është në fazë diskutimi dhe shumë propozime mund të ndryshojnë.
Nga ana tjetër, dokumenti i bërë publik parashikon “ndalimin e shitjes së paketave me 10 cigare ose më pak, si edhe e cigareve apo duhanit të dredhur, i cili, ka shije që fsheh atë origjinale si menthol, vanilje etj”. Gjithashtu ndryshime janë propozuar edhe në rast të shkeljeve të përsëritura të ligjit “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”. Sipas tyre propozohet që, në rast të penalizimit me gjobë me shume se tre here në një periudhë kohore prej tre muaj rresht ndaj subjektit të tatueshëm merret masa e pezullimit të aktivitetit deri në shlyerjen e masave të gjobës.
Kjo është një kërkesë e hershme e Inspetoratit Shtetëror Shëndetësor, si një masë shtesë për subjektet që lejojnë pirjen e duhanit në ambientet e ndaluara. ISHSH ka argumentuar se në shumë raste, lokalet janë të predispozuar të paguajnë gjobat dhe të lejojnë pirjen e duhanit, ndërkohë që kjo masë do të frenojë këtë fenomen.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.