Shitja e energjisë – KESH shton fitimet, hap 4 procedura për shkurtin
Vetëm në 10 ditët e para të muajit shkurt, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka hapur 4 procedura të shitjes së energjisë elektrike, duke lënë pas periudhën e vështirë që kaloi si pasojë e thatësirës së tejzgjatur.
Shitja e energjisë pritet t’i sigurojë të ardhura të larta kompanisë, çka do të ndikojë në pozitat financiare, jo fort të favorshme të regjistruara deri në muajin nëntor të këtij viti. TV SCAN ka përllogaritur vlerën e siguruar nga kjo kompani si pasojë e shitjes së energjisë me nisjen e shirave, çka rezulton të jetë rreth 9.5 milion euro.
Shifra i përket periudhës 29 nëntor deri 9 shkurt, ndërkohë që ende nuk janë publikuar rezultatate e tre procedurave të tjera të hapura.
Bilanci i kompanisë për vitin 2017 nuk është bërë ende publik, por pritshmëritë nuk janë shumë pozitive për shkak të shpenzimeve të kryera gjatë vitit që lamë pas për importin e energjisë.
Ndërkohë, të dhënat për 9-mujorin e nxorën me 4.2 miliard lekë humbje, ndryshe nga viti i kaluar ku u regjistrua një bilanc pozitiv prej 1.7 miliardë lekësh. Si pasojë e thatësirës së tejzgjatur kompania konsumoi edhe kredinë e Bankës Botërore, për rimëkëmbjen e sektorit.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.