Shkelje me tenderat – KLSH: Komisioni i Prokurimit Publik, dëm 2.5 Mln Usd Buxhetit
Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit në Komisionin e Prokurimit Publik ka zbardhur se përmes shkeljeve dhe parregullsive me tenderat publikë i është shkaktuar buxhetit një dëm prej rreth 2.5 milionë dollarësh.
KLSH ka bërë me dije se ka audituar Komisionin e Prokurimit Publik për periudhën janar 2015- gusht 2017 duke konstatuar devijime materiale të shkaktuara nga vendimmarrja e KPP-së në fushën e prokurimeve publike të shoqëruara me dëm ekonomik në vlerën 248 milionë lekë gjithsej, nga i cili 234 milionë i pa arkëtueshëm dhe 14 milionë lekë i arkëtueshëm, për të cilin do të kërkohet të kontabilizohet dhe të ndiqet në rrugë ligjore arkëtimi.
Në raportin përfundimtar të auditimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit rreshton një seri tenderash me parregullsi, apo të ankimuar nga pjesëmarrësit. Sipas KLSH, vendimet e Komisionit të Prokurimit Publik kanë cenuar përzgjedhjen e fituesve të kontratave publike në përputhje me parimet e përgjithshme të përzgjedhjes, shpeshherë të shoqëruara më dëm ekonomik.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.