Shkeljet i heqin buxhetit 23.6 miliardë lekë – KLSH: Koncesionet shkaktojnë dëmet më të mëdha
Shkeljet e bëra nga një sërë institucionesh publike në vend kanë sjellë një faturë prej 23.6 miliardë lekësh, apo 187 milionë euro, të ardhura të munguara në buxhetin e shtetit. Raporti i fundit Kontrollit të Lartë të Shtetit, për periudhën Janar-Shtator 2019, vë në pah dëmi më i madh ekonomik që ka sjellë si pasojë të ardhura të munguara, lidhet me keqadministrimin e pronës shtetërore të dhënë me qira dhe koncesione, me një vlerë totale prej 20.6 miliardë lekë apo 167 milionë euro.
Sipas KLSH, shkeljet kanë ardhur si pasojë e e mosrespektimit të kushteve të kontratave në fushën e dhënies me qira të aseteve, si dhe nga mangësitë e konstatuara në drejtim të zbatimit të kontratës koncesionare, si dhe pasojë e mosarkëtimit të qirasë kur kontrata ka përfunduar dhe personi qiramarrës nuk ka dorëzuar objektin, të cilin ka vazhduar ta posedojë, gëzojë dhe disponojë. Shkeljet më të mëdha në këtë drejtim janë bërë nga Bashkitë, ku në raport përmendet Bashkia Shkodër, Tropojë, Kurbin, Korçë, si dhe një sërë agjencish. Për periudhën janar – shtator 2019, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer 122 auditime dhe ka përfunduar dhe evaduar 85 të tillë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.