Shpërndahen certifikatat e para të pronësisë në Dhërmi – Regjistrimi fillestar i pronave për fshatin
Përmes një lajmërimi në rrjetet sociale Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj , ka njoftuar se janë dhënë certifikatat e para të pronës në fshatin Dhërmi. Procesi i regjistrimit të pronave të fshatarëve u njoftua para dy javësh nga Gjonaj, gjatë procesit të hapjes së zyrës së re të ZRPP ne bashkinë e Himarës.
Procesi i regjistrimit fillestar për fshatin Dhërmi ose ndryshe Zona Kadastrale 1481, e cila përbëhet nga 815 pasuri dhe një sipërfaqe rreth 30,708 m2, ka filluar që në vitin 2015. Sipas Gjonaj, printimi i certifikatave të pronësisë do të vijojë edhe me pjesën tjetër të banorëve, deri në certifikimin e plotë të fshatit Dhërmi.
Gjithashtu me hapjen e zyrës së re të ZRPP në Himarë banorët e kësaj zone nuk kanë më nevojë që këtë shërbim ta marrin në Vlorë, pasi do të pajisen me certifikatën e pronësisë pranë zyrës së Himarës. Gjonaj tha edhe se do të vijohet procesi për të realizuar objektivin për regjistrimin fillestar të gjitha pasurive si një proces i rëndësishëm në reformën e pronës.
e.t/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.