Shpronësimet nga rehabilitimi i pallatit në Unazën e Vogël – Miratohet fondi
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Rehabilitimi i fasadës së pallatit te kryqëzimi i rrugës së Dibrës me Unazën e Vogël”, Tiranë.
Sipas informacionit shpronësimi do të bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
Në informacion theksohet se pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, në shumën e përgjithshme prej 16 848 178 (gjashtëmbëdhjetë milionë e tetëqind e dyzet e tetë mijë e njëqind e shtatëdhjetë e tetë) lekësh.
Ndërkaq vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 16 848 178 (gjashtëmbëdhjetë milionë e tetëqind e dyzet e tetë mijë e njëqind e shtatëdhjetë e tetë) lekësh, do të përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë ndërsa vlera për shpenzimet procedurale në shumën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë të përballohet nga fondet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Shpronësimi do të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij ndërsa Bashkia Tiranë të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.