Shqipëri-Zvicër/ Denaj: Ndikim pozitiv për promovimin e pronës intelektuale
Ministrja e Financës dhe Ekonomisë, Anila Denaj, së bashku me Ambasadorin e Zvicrës, Adrian Maître nënshkruan marrëveshjen e mirëkuptimit në fushën e Pronësisë Industriale, në mbështetje dhe zbatim të Marrëveshjes Kuadër midis Këshillit Federal Zviceran dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Bashkëpunim Teknik, Financiar dhe Humanitar.
Ministrja Denaj e vlerësoi këtë marrëveshje, e cila është e një rëndësie të veçantë për etapën që po kalon Shqipëria në procesin e integrimit evropian.
“Disa nga rezultatet që pritet të arrihen nga kjo marrëveshje, janë shkëmbimi i informacionit mbi legjislacionin në fushën e Pronësisë Industriale (PI) dhe reflektimet për përmirësimin e tij, si dhe bashkëpunim në programet e trajnimit lidhur me Pronësinë Industriale. Gjithashtu, pritet të arrihet bashkëpunim në fushën e përpunimit të informacionit të patentave dhe shërbimeve për publikun dhe forcimi i bashkëpunimit ndër-institucional në zbatimin e të drejtave të pronësisë intelektuale në Shqipëri”, theksoi Denaj.
Sipas njoftimit nëpërmjet kësaj marrëveshje do të arrihet realizimi i një projekti 4 vjeçar midis dy zyrave homologe në fushën e pronësisë intelektuale ndërsa institucionet përgjegjëse për zbatimin e marrëveshjes janë Instituti Federal i Zvicrës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale, në rolin e përfituesit kryesor të projektit.
Vlerësojmë përkrahjen, shtoi ministrja, për reforma të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe social kulturor të vendit tonë. “Më lejoni që në emër të qeverisë shqiptare t`ju falënderoj për vëmendjen dhe mbështetjen e dhënë deri tani për vendin tonë. Vlerësojmë përkrahjen për reforma të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe social kulturor të vendit tonë”, përfundoi Denaj.
Në njoftim theksohet se aktualisht ka filluar procesi i hartimit të Strategjisë së re Kombëtare në fushën e Pronësisë Intelektuale për vitet 2021-2025, një dokument strategjik shumë i rëndësishëm për fushën, e cila po mbështetet nga asistenca teknike e Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale.
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.