Shqipëria jo mirë për biznes/Dhomat Europiane të Tregtisë: E 42-ta nga 46 shtete europiane, bie me dy vende
Bashkimi i Dhomave Europiane të Tregtisë (Euchamber), ka publikuar renditjen e vendeve më të mira europiane për biznes në 2019. Sipas klasifikimit më të ri, Shqipëria renditet e 42-ta, ndër 46 shtete europiane, me pikë të barabarta me Rusinë.
Vendi ynë ka humbur kështu 2 pozicione në krahasim me raportin e vitit të kaluar. Në krahasim me rajonin, vetëm Bosnje Hercegovina është më keq se ne, pasi renditet e 45-ta.Këtë e tregon mjaft mirë edhe harta, ku ngjyra e kuqe përfaqëson vendet që janë në fund të klasifikimit.
Klasifikimi i përgjithshëm bëhet duke u bazuar në dy raporte të tjera, atë të të bërit biznes nga Banka Botërore si dhe atë të perceptimit të korrupsionit nga Transparency International.
Rumania dhe Mali i Zi janë dy vendet e vetme europiane që kanë pësuar një rënie më të madhe në renditje se vendi ynë, me tre pozicione, ndërkohë që Greqia ka rënë me dy pozicione.
Në krye të klasifikimit janë 4 vendet skandinave: Danimarka, Norvegjia, Suedia dhe Finlanda, ndërkohë që në fund renditet Azerbajxhani, Bosnje Hercegovina dhe Ukraina.
Të tilla raporte që flasin për klimën e biznesit dhe të bërit biznes janë mjaft të rëndësishme pasi pasqyrimi në to përkthehet në fluksin e investimeve të huaja në vend.
Së fundmi, vendi ynë po vuan të dyja, edhe pasqyrimin negativ nëpër raporte të tilla, por edhe hyrjet e dobëta të investimeve të rëndësishme të huaja.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.