Shqipëria ka ruajtur stabilitetin financiar – FMN vlerëson masat e qeverisë dhe BSH pas tërmetit dhe pandemisë
Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), zhvilloi një vizitë virtuale më 17-28 shtator 2020, për të zhvilluar diskutimet e Monitorimit të parë Pas Programit. “Tërmeti i muajit nëntor 2019 dhe pandemia e COVID-19 kanë pasur pasoja të mëdha për jetën e njerëzve dhe ekonominë e Shqipërisë. Falë menaxhimit të përshtatshëm të politikave dhe kushteve financiare lehtësuese në botë, stabiliteti makroekonomik dhe financiar i Shqipërisë është ruajtur”-thotë FMN në deklaratën për vendin tonë. “Mbështetja për njerëzit dhe për bizneset e cënuara nga këto kriza është e përligjur, por duhet të jetë e përkohshme, me përfitues të identifikuar, si dhe të jetë objekt i transparencës dhe i llogaridhënies”-vijon më tej fondi.
“Autoritetet duhet t’i dyfishojnë përpjekjet për të përmirësuar të ardhurat tatimore nëpërmjet ngritjes së një sistemi më të drejtë, më të thjeshtë, më efikas dhe më transparent tatimor i cili nxit rritjen ekonomike. Sa i përket sektorit bankar, FMN sqaron se, ka vijuar të jetë deri tani i qëndrueshëm dhe likuid. “Në veçanti, niveli relativisht i lartë i kredive me probleme ka mundësi të rritet për shkak të ndikimit që ka pandemia tek huamarrësit.
Po të kemi parasysh se goditjet janë veçanërisht të forta dhe ndikimi i tyre i plotë mund të duket në bilancet e bankave vetëm pas disa kohësh, rritja e pikave të cënueshme në banka mund të mos diktohet në kohën e duhur nëse nuk mbahen nën monitorim dhe menaxhohen me kujdes nga Banka e Shqipërisë”-nënvizon fondi në deklaratën për vendin tonë. Ndërkaq, edhe Banka e Shqipërisë ka reaguar pas misionit të FMN-së, duke nënvizuar ndikimin e pandemisë në financat e vendit.
“Në planin makroekonomik, rënia e aktivitetit ekonomik është pasqyruar në presione të dobëta inflacioniste, në rritje të papunësisë dhe në zgjerim të borxhit të huaj e publik të vendit. Në planin mikroekonomik, rënia e aktivitetit ka sjellë vështirësi financiare për bizneset dhe familjet shqiptare”-thotë Banka e Shqipërisë.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.