Shqiptarët, kursimtarët më të mëdhenj – BB: Norma më e lartë në rajon, 1/4 e pasurisë, “mënjanë”
Një studim i publikuar vetëm pak kohë më parë nga Banka Botërore tregon se, shqiptarët janë kursimtarët më të mëdhenj në rajon, të paktën mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Studimi i ndan kursimtarët në dy grupe, 60% më të pasurit dhe 40% më të varfërit.
Në grupimin e parë, të ilustruar me ngjyrën lejla, shqiptarët janë padiskutim në vend të parë në rajon, me një normë kursimi sipas Bankës Botërore në 27%. Siç duket qartë edhe nga grafiku, ndër vendet e rajonit, vetëm Maqedonia mund t`i afrohet shqiptarëve në këtë drejtim, me një normë kursimi në rreth 25%.
Sa i përket 40% më të varfër, shqiptarët janë sërish në vend të parë, por e ndajnë këtë pozicion me qytetarët më të varfër të Maqedonisë. Si për shqiptarët më të varfër ashtu edhe për maqedonasit, norma e kursimit fiksohet në rreth 16%.
Në të dyja grupimet, fqinjët kanë një diferencë të theksuar me dy vendet e para. Qytetarët e Malit të Zi janë padiskutim të fundit në rajon për kursim, si më të pasurit ashtu edhe më të varfërit, me norma kursimi në 12% dhe 7% respektivisht. Shqiptarët e Kosovës nga ana tjetër, mbajnë vendin e katërt në këtë renditje.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.