Shqiptarët rrisin interesin për titujt qeveritarë – Rritje me 7.4% për individët gjatë 2020-ës, obligacionet, preferenca e vitit
Pavarësisht se 2020 ka qenë një vit i mbrapshtë për ekonominë, shqiptarët kanë rritur blerjet në tregun primar të titujve qeveritarë. Të dhënat më të fundit nga Autoriteti i Mbikqyrjes financiare (AMF), tregojnë se vlera e titujve të blerë në tregun primar gjatë vitit të kaluar ka qenë rreth 17.8 mld lekë, ose 2.46% më e lartë se viti paraardhës. Rritja vjen pavarësisht faktit se në numër transaksionesh, vihet re një rënie e ndjeshme, në masën 12.96%, tregojnë shifrat zyrtare.
Madje, në vlerë, rritja është e fokusuar vetëm në segmentin individë, me rreth 7.43%, ndërkohë që për personat juridikë vihet re një rënie e ndjeshme, prej rreth 25%. Sa i përket llojit të investimit, bono thesari apo obligacione, gjatë vitit të kaluar, bonot e thesarit kanë pësuar një rënie me 13.7%, ndërkohë që në rritje të ndjeshme regjistrohen investimet në obligacione në tregun me pakicë të titujve qeveritarë. Në të dyja këto segmente, vlera më e madhe e investimit ka shkuar për titujt me maturimin më të gjatë, ato 12 mujore në rastin e bonove të thesarit, dhe ato me maturim 10-vjeçar në rastin e obligacioneve, duke qenë se ofrojnë një normë kthimi më të lartë.
Pavarësisht kësaj tendence në rritje të preferencës për obligacione, këto të fundit mbeten lehtë më të vogla në numër sesa bonot e thesarit, më konkretisht në një raport 52% me 48%. PEsha më e madhe e blerjeve në tregun primar ndërkohë vihet re në tremujorin e dytë të vitit, çka justifikohet me huamarrjen më të madhe të Bankës së Shqipërisë në tregun e brendshëm, si pasojë e krizës.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.