Shqiptarët, “ushqim” për hackerat – Kaspersky: Të 4-tit më të sulmuar në botë, kujdes me të dhënat
Shqipëria është një prej vendeve më të goditura në botë sa i përket sulmeve në rrjet. Këtë e thotë gjigandi i mbrojtjes ndaj këtyre sulmeve, Kaspersky në raportin për tremujorin e parë të vitit.
Shqipëria rezulton vendi i 4-t në botë me normën më të lartë të përdoruesve të sulmuar, plot 12.56%. Raporti i referohet vetëm sulmeve të llojit Phishing, një lloj teknologjie që ka për qëllim vjedhjen e të dhënave personale që në një pjesë të madhe janë edhe të dhëna si karta e kreditit.
Raporti thotë se në nivel global, gjysma e sulmeve, janë financiare, dhe kësaj tendence nuk ka përse t`i shpëtojë edhe vendi jonë.
Mënyra më e mirë për të parandaluar vjedhjen e të dhënave personale apo të atyre financiare është të qenit vigjilent ndaj websiteve ku futen këto të dhëna, pasi një pjesë e madhe e tyre mund të jenë faqe mashtruese, me qëllimin e vetëm për të vjedhur të dhënat.
Sipas Kaspersky, rrjetet sociale, me në krye Facebook janë mjeti kryesor i përdorur nga keqbërësit e rrjetit për të vjedhur të dhënat.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.