Si i shpenzuan bashkitë paratë e qytetarëve? – Raporti/ “Mbushën xhepat”, por investimet shënuan nivelin më të ulët historik
61 bashkitë në vend mblodhën rreth 29 miliardë lekë apo 240 milionë euro në vitin 2021, në rritje me rreth 22% krahasuar me nivelin e mbledhur në vitin 2020. Përjashtuar Bashkinë Tiranë e cila mbledh rreth 57% të të ardhurave nga burimet e veta vendore 2021, kjo kategori të ardhurash shënoi rritje me rreth 24% në terma vjetorë.
Referuar raportit të të publikuar nga CoPlan, pushteti vendor mesa duket ka lënë pas tërmetin dhe pandeminë covid19, duke zgjeruar ndjeshëm të ardhurat e tyre, ku në këtë pjesë ka ndikuar dhe mbledhja e detyrimeve të cilat ishin shtyrë për shkak të pandemisë. Raporti citon se zgjerimi i të ardhurave nga burimet e veta vendore rezulton të ketë ndodhur në rreth 82% të bashkive (apo 50/61 bashki) dhe të luhatet në një interval nga rreth +1% deri në +91%. Ndër to, në rreth 86% të bashkive rritja e të ardhurave rezulton të jetë mbi 10% në terma vjetorë.
Kontributin kryesor në zgjerimin e të ardhurave nga burimet e veta vendore e dhanë të ardhurat nga taksat vendore. Konkretisht të ardhurat nga taksat vendore përfaqësuan rreth 62% të të ardhurave nga burimet vendore dhe shënuan rritje vjetore me 20%. Kontribut pozitiv dhanë dhe të ardhurat nga tarifat vendore të cilat përfaqësojnë rreth 37% të totalit të të ardhurave nga burimet vendore dhe shënuan rritje me rreth 24%.
Për ndërsa të afrdhurat nga taksat dhe tarifat vendore janë rritur ndjeshëm, në të kundërt, investimet e kryera me fonde të veta të bashkive duket të kenë hyrë në një spirale rënëse në dy vitet e fundit me -14 për qind, duke regjistruar nivelet më të ulëta historike që nga ndarja e re administrative-territoriale (RAT). Kështu, bashkitë kanë shpenzuar vetëm 21 për qind të totalit të fondeve të tyre të mbledhura nga taksat dhe tarifat, për shpenzime kapitale.
E përkthyer në vlerë monetare janë investruar vetëm 11 miliardë lekë. Ndërkohë që shpenzimet për personelin dhe ato operative rënduan buxhetet e njëisve vendore, të cilat përfaqësuan mesatarisht rreth 79% të shpenzimeve totale me fonde të veta.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.