Si u shpenzuan paratë për rrugët? – Raporti i “Financave”: U shtuan 5.7 miliardë lekë, realizimi i fondeve arriti në 38%
Ndryshimet buxhetore gjatë vitit që lamë pas parashikuan një rritje prej 5.7 mld lekë për programin e “Transporti rrugor”, ndërkohë që sipas raportit të monitorimit të zbatimit të buxhetit për 4-mujorin e dytë të vitit 2021, të publikuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, gjatë kësaj periudhe u realizuan fondet në masën 38% kundrejt buxhetit të rishikuar. Rritja e buxhetit erdhi pas kërkesave të bëra nga Autoritetit Rrugor Shqiptar, pasi sipas këtij dikasteri “i gjithë buxheti i akorduar shkonte për kontratat e lidhura, ndërkohë që ky institucion nuk kishte mundësi të financonte kontrata të lidhura gjatë vitit 2021 apo që mund të lidheshin në muajt në vijim”.
Ndërkaq, sipas raportit të monitorimit, gjatë 4-mujorit të dytë 2021, për rrjetin e rrugëve kombëtare janë realizuar fondet në vlerën 3.7 miliard lekë. Përrrugët e tipit A2, me trotuar dhe ndriçim, u shpenzuan 826 milionë lekë. Disa nga objektet e rëndësishme, që përfshihen në këtë kategori janë: Ndërtim i unazës së Jashtme Tiranë pjesa verilindore, rikualifikim i akseve rrugore Unaza Lindore apo ndërtimi i By Pass Perëndimor Shkodër. Për tipin e rrugës A2 me katër korsi u shpenuar 1 mln lekë apo 20% e fondeve të planifikuara për vitin 2021.
Ndërkohë që, disa prej projekteve që përfshihen në këtë kategori është segmenti nga Pallati me Shigjeta-Sheshi shqiponja i Unazës së Madhe të Tiranës, ndërtim i mbikalimit te TEG dhe rrugët lidhëse të tij; rishikimi i projektit për segmentin rrugor të vazhdimit të unazës së madhe Tiranë nga Sheshi Shqiponja – Bulevardi i ri, etj. Për aksin rrugor Kardhiq-Delvinë u realizuan fonde në masën 990 mln lekë, ndërkohë që për rrugë të kategorisë C2 u shpenzuan 623 mln lekë apo 49% e fondeve të palnifikuara. Këtu përfshihet By Pass Tepelenë, rruga Korcë – Ersekë, rruga Palas – Dhërmi, etj.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.