Skema e trafikut në Rinas/ Arrestohen 2 shtetas nga Kameruni dhe 1 nga Gana. Në kërkim 2 francezë. Përdornin pasaporta të ngjashme për të kaluar
Policia njofton se ka finalizuar një tjetër operacion për parandalimin e kalimit të paligjshëm të kufirit. Operacioni i koduar “Shpërblimi” u zhvillua nga Policia Kufitare e Rinasit, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.
Referuar njoftimit të policisë, janë vënë në pranga tre shtetas nga Gana dhe Kameruni, si dhe janë shpallur në kërkim dy të tjerë nga Franca.
Janë sekuestruar pasaporta e karta identiteti që do të përdoreshin me anë të ngjashmërisë, për të kaluar kufirin drejt vendeve të BE-së.
“Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të realizuara nga Policia Kufitare e Rinasit, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në Rinas u godit një tjetër rast i tentativës për kalim të kufirit me dokumente me ngjashmëri.
Si rezultat i informacionit të marrë në rrugë operative dhe shkëmbimit në kohë të informacionit mes Policisë Kufitare të Rinasit dhe Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe falë koordinimit të veprimeve në terren që zgjatën gati 48 orë, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Shpërblimi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
- J. B., 21 vjeç, lindur dhe banues në Kamerun (organizator);
- B. A., 34 vjeç, lindur dhe banues në Gana;
- J. B., 23 vjeç, lindur dhe banues në Kamerun;
Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit francezë:
- D. I. dhe B. Y.
Nga hetimet e kryera nga ana jonë ka rezultuar se shtetasi B. A., kundrejt shpërblimit monetar, ka siguruar nga shtetasi J. B., një pasaportë franceze që i përkiste shtetasit D. I. dhe duke përfituar nga ngjashmëria fizike me këtë shtetas ka tentuar të udhëtojë me këtë pasaportë nga aeroporti i Rinasit në drejtim të vendeve të BE-së.
Po nga hetimet ka rezultuar se 23-vjeçari J. B., kundrejt shpërblimit monetar ka siguruar nga 21-vjeçari J. B., një kartë identiteti franceze që i përket shtetasit B. Y. dhe duke përfituar nga ngjashëria fizike me këtë shtetas ka tentuar të udhëtojë me këtë pasaportë nga aeroporti i Rinasit në drejtim të vendeve të BE-së” shkruhet në njoftimin e Policisë.
Nga hetimet e kryera nga ana e policisë, dyshohet se ka bashkëpunëtorë edhe shtetas shqiptar, për të cilët po punohet për identifikimin e tyre.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.