Statistikat/ Në Shqipëri ulet numri i aksidenteve por rritet numri i viktimave
Në muajin Nëntor 2019 në Shqipëri numërohen 109 aksidente rrugore nga 130 aksidente të ndodhura në muajin Nëntor 2018, duke u ulur me 16,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Referuar statistikave të publikuara nga INSTAT, në njëmbëdhjetëmujorin e 2019, numërohen 1.363 aksidente rrugore nga 1.582 aksidente të ndodhura në njëmbëdhjetëmujorin e 2018, duke u ulur me 13,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare.
“Në muajin Nëntor 2019, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 144 persona nga 171 që ishte një vit më parë, duke u ulur me 15,8 %. Numri i të aksidentuarve në njëmbëdhjetëmujorin e vitit 2019 është 1.857 persona nga 2.129 persona, duke u ulur me 12,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018.
Në muajin Nëntor 2019, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 21 persona nga 22 persona të vdekur në Nëntor 2018. Në njëmbëdhjetëmujorin e 2019, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 203 persona nga 190 persona në të njëjtën periudhë të një viti më pare” njofton INSTAT.
Ajo që konstatohet është se pavarësisht se është ulur numri i aksidenteve është rritur numri i viktimave.
Kush i bën aksidentet?
Në muajin Nëntor 2019, aksidentet rrugore në 76,1 % të rasteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 32,1 % të numrit të aksidenteve gjithsej.
Aksidentet në këtë grup-moshë janë ulur me 22,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në njëmbëdhjetëmujorin e 2019, aksidentet rrugore në 15,2 % të rasteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur 33,4 %, krahasuar me një vit më parë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.