Strategji e re 78 milion euro për nxitjen e biznesit. Konsultim me dhomat e tregtisë dhe shoqatat e biznesit
Konsultimi publik i Strategjisë së re të Nxitjes së Biznesit dhe Investimeve 2021-2027 ka vijuar me dhomat e tregtisë dhe shoqatat e biznesit.
Referuar njoftimit zyrtar të Ministrisë së Financave, e pranishme në takim, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, theksoi rëndësinë e një konsultimi publik efektiv, në mënyrë të veçantë me përfaqësues të biznesit, pasi Strategjia është hartuar duke pasur në qendër biznesin, të cilën do ta mbështesë në vitet e ardhshme me instrumente të posaçëm.
“Strategjia është e rëndësishme pasi vjen në ndihmë të biznesit në vitet e ardhshme, me instrumente, dhe sepse biznesi, në të gjithë sektorët, ka nevojë për instrumente nxitës dhe mbështetës”, u shpreh Denaj.
Ajo ftoi përfaqësuesit e biznesit të pranishëm në tryezë, por jo vetëm, të japin sugjerimet e tyre mbi sektorët që mbështeten përmes Strategjisë dhe instrumentet e parashikuara në të.
Objektivi i dokumentit, tha Ministrja Denaj, është tejkalimi i situatës së vështirë ekonomike që krijoi në vendin tonë pandemia COVID 19.
Ndërsa rikujtoi se qeveria vuri në dispozicion të biznesit dy garanci sovrane, në mbështetje të biznesit për të përballuar situatën e krijuar nga pandemia, Ministrja theksoi, se tashmë synimi është që transformimi i kompanive dhe biznesit të jetë më i targetuar.
Në këtë kuadër, Denaj tha, se në Strategjinë e re janë të përcaktuara disa instrumente financiarë në mbështetje të biznesit në sektorë të veçantë, si në manifakturë apo në turizëm.
“Për të realizuar një transformim do të duhet më tepër kapital, më tepër pajisje, makineri, apo do të duhet dixhitalizim, e në funksion të tyre garancia sovrane për manifakturën, për të kaluar në stadin tjetër, është absolutisht nga instrumentet e parë. Turizmi është sektori i parë i prekur si pjesë e shërbimeve. Ka një ritransformim dhe një rialokim të fuqisë punëtore brenda sektorëve, por nuk mund të themi që aftësia dhe kategorizimi i punonjësve është përkthyer në 100%. Për turizmin nevoja për garanci sovrane do të ekzistojë në të njëjtën masë”, u shpreh Denaj.
Në një kohë që dixhitalizimi po shtrihet në çdo fushë të jetës sonë, Ministrja vuri theksin në rëndësinë që ka për biznesin të zhvillohet në përputhje me modelet e reja të zhvillimit teknologjik dhe dixhital.
Në këtë drejtim e për t’i ardhur në ndihmë biznesit, në Strategji përcaktohen instrumente lidhur me trajnimet e stafit në disa fusha e sektorë, ku subvencioni për kompanitë do të jetë në masën 100%.
“Trajnimet për disa fusha e disa sektorë do të kenë subvencion 100%. 50 % do të jetë në formën e një subvencioni të drejtëpërdrejtë dhe 50 % do të jetë në formën e “taksë-kredit”, që vetë kompanitë të kenë incentivat e tyre që brenda pasqyrave financiare të shkarkojnë shpenzime të tilla, të cilat në të ardhmen u japin mundësinë që dhe të aftësojnë personelin e tyre, por edhe të kenë lehtësi, në rastin konkret, fiskale”, sqaroi Ministrja Denaj.
Strategjia, e cila në 6 vite do të kushtojë 78 milionë euro, do të mbështetet në masën e 71% nga buxheti i shtetit.
Ajo parashikohet të zbatohet përmes disa instrumenteve kryesorë, të cilët janë:
1- Rritje e aksesit në financë për bizneset, ku përfshihet:
Rikonceptim i skemave ekzistuese për grantet SME duke krijuar një Fond të vetëm “Fondi i Zhvillimit të Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme;
Aplikim online për grantet e ndërmarrjeve Mikro, të Vogla të Mesme;
Skema garancie shtetërore për ndërmarrjet Mikro, të Vogla të Mesme;
50 milionë euro garanci shtetërore për manifakturën në rastet e ndryshimit të porosive për të përballuar kostot e ndërtimit dhe kalimit në linja prodhimi të reja.
2-Skema e mbështetjes për zhvillimin e kapitalit njerëzor bashkëpunues, që konsiston në prezantimin e një skeme të re financiare për zhvillimin e kapitalit njerëzor:
Asistencë financiare për NVM që punësojnë të sapodiplomuarit për projekte inovacioni;
Asistencë financiare për doktorantë që janë punësuar në NVM dhe në të njëjtën kohë janë regjistruar në universitet, të cilët punojnë për një projekt të përbashkët kërkimi.
Programet “Inovacion dhe ekselencë në manifakturë” dhe “Inovacion dhe ekselencë në IT” për trajnime në inovacion, dizajn, marketing, kërkim dhe zhvillim nëpërmjet mbulimit të kostove të trajnimit 100 %. Kostot do të rimbursohen 50% direkt dhe 50% si 2-fish i tatimit të zbritshëm ndaj shoqërive ku është i punësuar përfituesi.
3-Tërheqja e investitorëve të huaj, ku synohet:
rritja e fluksit të investimeve;
rritja e totalit të eksportit të mallrave dhe shërbimeve;
rritja e vlerësimit në Indeksin e Politikave për NMV.
përqasje e re për të promovuar dhe tërhequr investimet e huaja.
4- Mbajtja e investitorëve ekzistues.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hedhur për konsultim publik Strategjinë e nxitjes se Biznesit dhe Investimeve, prej disa javësh, ndërkohë që ka një kalendar të këtij konsultimi me të gjitha grupet e interesit.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.