Studimi/ Çfarë efektesh solli transformimi i Pedonales së Shkodrës?
Transformimi i asaj që njihet si Pedonalja e Shkodrës solli rritjen e vlerës së pronës me 65 %. Kjo evidentohet në studimin e realizuar nga Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (Albanian-American Development Foundation (AADF), që i është bashkëlidhur projektligjit për përmirësimin e zonave të biznesit.
“Zona BID apo e njohur ndryshe si zona këmbësore, që përfshin rrugën “13 Dhjetori” – “28 Nëntori” – “Kolë Idromeno”, ndryshimet e para i shprehu në nxitjen dhe thithjen e investimeve private dhe publike.
Në këtë zonë, vlera e pronës në shitje është rritur me mbi 65%, edhe më tepër është rritur vlera e qiradhënies. Vërehet, gjithashtu, një përmirësimin i cilësisë së shërbimit.
Kjo u shoqërua edhe me rritjen e numrit të të punësuarve me të paktën 150 persona me kohë të plotë dhe një rritje e mëtejshme me mbi 30% gjatë sezonit të fluksit për të punësuarit me kohë të pjesshme. Zhvillimi i zonës duket qartë dhe në pasurimin e kalendarit të aktivitete argëtuese dhe kulturore në qytet” evidentohet në relacion.
Në total, në këtë hapësirë ushtrojnë aktivitetin e tyre ekonomik mbi 110 biznese me një shumëllojshmëri veprimtarie si bare, restorante, dyqane veshjesh, hotele, agjenci turistike etj.
“Vit pas viti sipërmarrësit kanë rritur investimet në ambientet e tyre, të nxitur dhe nga rritja e xhiros së realizuar. Pedonalja e Shkodrës është kthyer në një epiqendër për njësitë tregtare më në zë të qytetit, por edhe si hapësira më interesante për aktivitete ditore argëtuese.
Pjesa më interesante që duket se grish edhe kureshtjen e turistëve është fototeka “Marubi”, e cila mban edhe peshën kryesore të vizitorëve. Vlera e saj e investimit përllogaritet në 1.6 milionë USD. Mesatarja e përgjithshme e vizitorëve në zonën BID në Shkodër kufizohet në 6 000 persona në ditë.
Menaxhimi i zonës bëhet nga shoqata BID Shkodra, ku një nga projektet më të fundit ishte rikonceptimi i shfrytëzimit të hapësirës publike në zonën “Kol Idromeno”, me unifikimin e elementeve si çadra, pedana, tavolina, karrige në bizneset e zonës BID” evidentohet më tej në studim.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.