Takimi i ministrave me drejtuesit e policisë në qarqe, Klosi: Ashpërsim i masave kundër ndotjes mjedisore, policia rol kyç
Krimi mjedisor, do të jetë i ndëshkueshëm si çdo krim tjetër! Kjo është deklarata e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi pas takimit të zhvilluar me drejtuesit e policisë së qarqeve në qytetin e Elbasanit, ku ishin të pranishëm ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe ministri e Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri.
Ministri Klosi e ka cilësuar këtë takim të rëndësishëm për të bashkërenduar strukturat e të gjitha niveleve të qeverisë për ashpërsimin e masave ndaj atyre që ndotin mjedisin dhe veçanërisht për një përfshirje të strukturave policore në parandalimin ose ndëshkimin e krimit mjedisor.
“Bashkërendimi me strukturat e ministrisë së Brendshme për të ashpërsuar masat ligjore ndaj të gjithë atyre që ndotin mjedisin ka qenë pjesë e kësaj tryeze, mendoj që takime të tilla ne do t’i vazhdojmë në të gjithë Shqipërinë”, tha ministri Klosi, i cili theksoi se tashmë janë ngritur grupe pune edhe ministrinë e Energjetikës për ndotjen që vjen nga guroret, pikat e skrapit etj.
“Ashpërsimi i masave ndaj atyre të cilët ndotin mjedisin, ashpërsimi i masave ndaj atyre të cilët abuzojnë me mjedisin është një nga prioritetet e operacionit. Së bashku me ministrin Gjiknuri ne tashmë kemi ngritur disa grupe pune që kanë të bëjnë me analizën e situatës që kemi me guroret, me trajtimin e mbetjeve, pikat e skrapit dhe me makinat në fund të jetës, pra me të gjithë ata që ndotin mjedisin”, u shpreh ministri Klosi.
Kreu i Turizmit dhe i Mjedisit zbuloi gjithashtu për mediat se në takim është diskutuar edhe për masat që duhen marrë për sigurimin e një sezoni sa më të mirë turistik. “Ne jemi përpjekur që së bashku me të gjitha strukturat pranë Ministrisë së Turizmit dhe me strukturat pranë pushtetit lokal dhe tashmë edhe me Ministrinë e Rendit të përgatisim të gjitha masat të cilat do të sigurojnë që viti 2018 të shoqërohet gjatë sezonit turistik me një mbrojtje shumë më të madhe të jetës së qytetarëve, me një menaxhim krejt tjetër për sa i përket sigurisë në plazhet tona dhe po ashtu me një përpjekje të miradministruar për sa i përket funksionimit të mjeteve motorike në ujë”, tha ministri Klosi.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për përfshirjen e strukturave të policisë së brendshme në atë që ministri Gjiknuri e cilësoi si: “të nevojshme për rezultate më të larta kundër vjedhjes së energjisë”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.