“Tap” po ecën sipas planit, Peeraer: Kemi përfunduar 3/4. Dash: Projekti, rëndësi madhore për Europën
Në Shqipëri, deri më tani, thuajse dy vite përpara vënies në funksion, Tap ka përfunduar 193 kilometra të gjurmës dhe janë lidhur 186 kilometra tubacione, deklaroi presidenti i konsorciumit, Walter Peeraer.
Ndër të tjera, ai shtoi se, punimet për gazsjellësin po ecin sipas planit dhe se deri më tani është kryer rreth 72.5% e punimeve në total. Kjo do të thotë se, në Greqi dhe Shqipëria, është pastruar 95% e gjurmës së gazsjellësit. Projekti duhet të mbarojë në 2020.
Deri më tani pengesa kryesore ndaj gazsjellësit ka qenë Italia, dhe protesta e rajonit të Puglias, për çështje që lidhen me ambientin. Por, sipas presidentit të konsorciumit edhe në Itali punimet po ecin kënaqshëm.
Bashkimi Europian ka bërë vazhdimisht thirrje që projekti të mbarojë në kohë, pasi kjo është mjaft e rëndësishme. Rëndësinë e projektit për Europën e nënvizoi së fundmi edhe departamenti amerikan i shtetit.
Një zyrtar i lartë i Dash deklaroi se, ky projekt ka një rëndësi madhore për sigurinë energjetike të Europës, duke shtuar edhe faktin se, projekti duhet të marrë mbështetje nga të gjitha vendet, madje edhe nga ato që nuk janë të përfshira drejtpërdrejtë në të.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.