Tarifat dentare – Manastirliu: Nuk do të ketë rritje të çmimeve! Vendimi i Urdhrit të Stomatologëve, i pa aplikueshëm
Tarifat dysheme të shërbimeve dentare nuk do të pësojnë asnjë rritje. Deklarata ka ardhur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë inspektimit të qendrës shëndetësore nr. 8 në Tiranë.
Ndërsa e ka cilësuar këtë një venim të paaplikueshëm, Manastirliu ka shtuar më tej se rritja e çmimeve nuk është kompetencë e Urdhrit të Stomatologëve.
“Dua të siguroj qytetarët që nuk do të ketë rritje të tarifave dysheme të shërbimeve dentare sepse nuk është kompetencë e Urdhrit të Stomatologëve të vendosë për këtë. Përfaqësuesi i Ministrisë së Shëndetësisë e ka kundërshtuar këtë propozim në mbledhjen e Asamblesë dhe pasi u njohëm me vendimin, kemi bërë padi në gjykatë për ta rrëzuar atë, sepse është një vendim i paaplikueshëm, për shkak se Urdhri ka tejkaluar kompetencat që i njeh ligji. Pra është një vendim që nuk do të zbatohet. Siguroj qytetarët se nuk do të ketë rritje të tarifave dysheme, pasi instancat perkatëse do të marrin masat që ju njeh ligji”, tha Manastirliu.
Ndërsa u ndal te investimi i kryer në këtë qendër shëndetësore, ministrja u bëri apel të gjithë prindërve që të marrin shërbimin pranë qendrave shëndetësore.
Aktualisht janë 4 qendra në kryeqytet që ofrojnë shërbim 24 orë pa ndërprerje: Qendra shëndetësore nr.6 në Kombinat, nr.7 në Laprakë, nr.8 në zonën e ish-Bllokut dhe nr.10 në Allias.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.