Tarifat, OSHEE do rimbursojë bizneset-Vendim i ERE-s, Ismailaj: U përdor metodologji e gabuar
Të gjithë bizneset e lidhur në 35 KV, të cilët kanë dalë në treg të lirë energjie, por janë furnizuar nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike do të rimarrin mbrapsht një pjesë të pagesave të kryera.
Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar vendimin për korrektimin e faturave përgjatë gjithë periudhës së liberalizimit. Ndërkohë që në një prononcim dhënë për TV SCAN anëtarja e Bordit, Rajmonda Ismailaj shpjegon se shkak për këtë situatë janë faturimet e kryera në pik, të cilat kanë rritur në mënyrë të padrejtë 10-15% faturat e energjisë për këto biznese.
Sipas Ismailaj, korrektimi i faturave do të bëhet rast pas rasti për çdo biznes.
Në muajin gusht, ERE miratoi ndryshimet në metodologjinë e përcaktimit të çmimit me të cilin këto biznese e paguajnë energjinë ndaj OSHEE, çka pritet të sjellë çmime më të ulëta, duke nisur nga faturat e këtij muaji.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.